Pas një fushate për të bindur publikun se korrupsioni nuk është rritur gjatë qeverisjes së tij, kryeministri Edi Rama ka kaluar në një “linjë të re të retorikës”: ai mohon se sektori i ndërtimit përdoret për pastrimin e parave.
Gjatë një takimi me sipërmarrës shqiptarë, Rama pranoi se ndërtimi ka sfida dhe probleme, por i hodhi poshtë akuzat që lidhin këtë sektor me krimin.
“As nuk e vë në diskutim që jo çdo gjë është e pastër, e qartë si drita e Diellit, por ta fusim këtë sukses të dukshëm në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e papranueshme,” tha Rama, duke theksuar aftësinë e Shqipërisë për të realizuar ndërtime të mëdha.
Megjithatë, fakte dhe raporte të pavarura tregojnë një realitet të kundërt. Raporti i SPAK për vitin 2025 identifikon sektorin e ndërtimit si një nga kanalet e mundshme për pastrimin e parave nga krimi i organizuar. Po ashtu, raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nënvizon se ekonomia shqiptare shfrytëzohet për pastrimin e të ardhurave të paligjshme, veçanërisht përmes ndërtimit, duke kontribuar edhe në korrupsion dhe dobësim të institucioneve.
Pra, ndërsa retorika e kryeministrit mund të përpiqet të minimizojë shqetësimet, dokumentet zyrtare tregojnë një problem të thellë dhe të dokumentuar. Diferenca mes propagandës dhe fakteve mbetet e qartë dhe e pamohueshme.









