Greqia pritet të bëhet një nga vendet e para në Europë që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, me ligjin që synohet të hyjë në fuqi më 1 janar 2027. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis e bëri publik vendimin përmes një postimi në TikTok, duke theksuar shqetësimet në rritje për ndikimin e teknologjisë tek të miturit.
Sipas tij, prindërit dhe vetë adoleshentët raportojnë probleme si ankthi, mungesa e gjumit dhe presioni i vazhdueshëm nga ekspozimi online. Ai nënvizoi se përdorimi i tepërt i ekraneve ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin dhe pushimin e trurit tek fëmijët.
Qeveria greke planifikon ta miratojë ligjin gjatë verës së vitit 2026, duke synuar një rregullim më të fortë të platformave digjitale dhe mënyrës si ato tërheqin vëmendjen e të rinjve. Ndërkohë, në vend janë marrë tashmë masa si ndalimi i celularëve në shkolla dhe krijimi i mjeteve për kontroll prindëror.
Mitsotakis i ka dërguar gjithashtu një letër Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar një qasje të përbashkët në nivel europian. Propozimet përfshijnë verifikim të detyrueshëm të moshës, një “moshë madhore dixhitale” në 15 vjeç dhe mekanizma të fortë kontrolli për kompanitë që nuk zbatojnë rregullat.
Nisma vjen në një kohë kur gjithnjë e më shumë vende, përfshirë Britaninë, Spanjën dhe Austrinë, po shqyrtojnë masa të ngjashme për të mbrojtur të miturit nga varësia digjitale.









