Carlo Ancelotti po përfundon detajet e kontratës së re me Federatën Braziliane të Futbollit, marrëveshje që do ta mbajë trajnerin italian në krye të “Seleçãos” deri në Botërorin 2030. Drafti i kontratës është dërguar për firmosje, ndërsa të gjitha pikat kryesore janë rënë dakord gjatë bisedimeve të javëve të fundit, duke e bërë vetëm një formalitet firmosjen zyrtare.
Kontrata e re ruan pagën rekord prej 10 milionë eurosh në vit për Ancelottin, niveli më i lartë në historinë e trajnerëve të kombëtares braziliane, dhe parashikon edhe rritje page për stafin teknik, sipas kërkesës së trajnerit. Gjatë javëve të fundit, Ancelotti ka zhvilluar takime me drejtuesit e federatës, duke dhënë miratimin verbal për vazhdimin e kontratës, duke siguruar stabilitet maksimal për skuadrën kombëtare braziliane në prag të sfidave të mëdha ndërkombëtare.









