Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka deklaruar se Evropa duhet të mbrojë më fort interesat e saj në arenën gjeopolitike, duke theksuar se nuk duhet të ndjekë një linjë të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara, por as të hezitojë të shprehë mospajtimet kur ato ekzistojnë.
Ajo u shpreh për mediat italiane se, megjithëse bashkëpunimi me SHBA mbetet thelbësor, vendet evropiane duhet të veprojnë në mënyrë të pavarur kur është e nevojshme për të mbrojtur interesat kombëtare.
Në këtë kontekst, Meloni ka njoftuar një vizitë të planifikuar në rajonin e Gjirit Persik, e cila synon forcimin e marrëdhënieve energjetike dhe sigurimin e furnizimeve me naftë për Italinë, që aktualisht siguron rreth 15% të nevojave të saj nga ky rajon.
Më herët, ajo kishte zhvilluar një vizitë edhe në Algjeri për çështjet e gazit natyror, ndërsa tani fokusi është zhvendosur te nafta, në kushtet e luhatjeve të tregjeve globale të energjisë.
Sa i përket zhvillimeve të brendshme politike, Meloni hodhi poshtë zërat për dorëheqje apo ndryshime në qeveri pas debateve rreth reformës në drejtësi, duke i cilësuar ato si spekulime pa bazë.









