Gennaro Gattuso nuk do të jetë më në krye të Kombëtares së Italisë, pas largimit të tij nga posti i trajnerit. Vendimi vjen pas humbjes ndaj Bosnjës në finalen e play-off-it, që i kushtoi “azzurrëve” mungesën në Kupën e Botës.
Ish-mesfushori legjendar i AC Milan u shpreh i zhgënjyer për dështimin, duke theksuar se nuk u arrit objektivi i vendosur.
Në mesazhin e tij, Gattuso falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët dhe institucionet për mbështetjen, duke përmendur veçanërisht Gabriele Gravina dhe Gianluigi Buffon. Ai e cilësoi drejtimin e ekipit kombëtar si një nder të madh dhe vlerësoi përkushtimin e lojtarëve dhe mbështetjen e tifozëve.
Largimi i tij vjen në një moment të trazuar për futbollin italian, pasi më herët edhe Gravina ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Federatës, ndërsa Buffon është tërhequr nga roli i tij si kreu i delegacionit të ekipit kombëtar.









