Në mes të tensioneve dhe ndërprerjeve të furnizimit në Lindjen e Mesme, Gjermania ka nisur të marrë dërgesat e para të gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga Omani.
Furnizimet po realizohen në kuadër të një kontrate katërvjeçare të nënshkruar në vitin 2023 mes kompanisë shtetërore të LNG-së së Omanit dhe importuesit gjerman Securing Energy for Europe (SEFE). Sipas autoriteteve gjermane, dërgesat kanë nisur sipas planit dhe deri tani nuk janë ndikuar nga zhvillimet e fundit në rajon.
Omani, i vendosur përballë Iranit përtej Ngushticës së Hormuzit, ka arritur të mbajë të qëndrueshme eksportet, ndryshe nga vende të tjera të Gjirit që janë prekur nga konflikti.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit nga Irani, që ka ndalur eksportet e LNG-së nga Katari, një ndër furnizuesit kryesorë në botë. Për më tepër, një sulm ndaj objekteve të prodhimit në Ras Laffan në mesin e marsit ka dëmtuar rreth 17% të kapacitetit të këtij shteti.
Zyrtarët e QatarEnergy kanë bërë të ditur se rikuperimi i plotë i kapaciteteve mund të zgjasë nga tre deri në pesë vjet, ndërsa disa kontrata afatgjata janë pezulluar, duke prekur klientë në Azi dhe Evropë.
Megjithatë, autoritetet gjermane janë përpjekur të qetësojnë situatën, duke theksuar se vendi nuk varet ndjeshëm nga LNG-ja e Gjirit, pasi pjesa më e madhe e furnizimit me gaz sigurohet përmes tubacioneve nga vende si Norvegjia, Holanda dhe Belgjika.









