Një aksion policor i zhvilluar gjatë orëve të natës është shoqëruar me një ndjekje të rrezikshme dhe një përplasje, nga e cila mbetën të plagosur dy punonjës policie.
Sipas informacioneve paraprake, efektivët i kanë bërë shenjë ndalimi një automjeti, por drejtuesi nuk i është bindur urdhrit dhe është larguar me shpejtësi, duke detyruar policinë të nisë ndjekjen.
Automjeti është ndjekur në disa zona të qytetit, deri në momentin kur forcat e rendit kanë ngritur një pikë bllokimi në Bulevardin “Ismail Qemali”.
Gjatë ndërhyrjes për ndalimin e mjetit tip “Golf”, një automjet policie i pozicionuar në rrugë është përplasur, duke shkaktuar lëndimin e dy efektivëve.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar drejtuesin e automjetit që u largua nga vendi i ngjarjes.









