Franca kundër operacioneve ushtarake – Bllokon hapësirën e saj ajrore për Izraelin- Tensione me SHBA për luftën ndaj Iranit

Franca ka refuzuar t’i lejojë Izraelit përdorimin e hapësirës së saj ajrore për transportimin e armëve amerikane drejt Lindjes së Mesme, në kuadër të konfliktit me Iranin.

Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters, vendimi u mor gjatë fundjavës dhe shënon herën e parë që Parisi ndërmerr një hap të tillë që nga nisja e përshkallëzimit të situatës.

Ky zhvillim vjen në një moment kur presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj aleatëve të NATO-s, duke i kritikuar për mungesë angazhimi në përballjen me Iranin.

Pas refuzimit të Francës, Trump reagoi ashpër në rrjetet sociale, duke e akuzuar Parisin për mungesë bashkëpunimi dhe duke paralajmëruar se SHBA “do ta mbajë mend” këtë qëndrim.

Ndërkohë, edhe Italia ka ndërmarrë një qëndrim të ngjashëm ditët e fundit, duke mos lejuar avionë luftarakë amerikanë të përdorin bazën ajrore Sigonella në Siçili, pasi planet e tyre të fluturimit lidhen me operacione ushtarake në rajon.

Këto zhvillime sinjalizojnë një ndarje të dukshme mes SHBA-së dhe disa aleatëve evropianë lidhur me mënyrën e përballjes me krizën në Lindjen e Mesme.