Kërkojmë më shumë bashki dhe pavarësi lokale – PD kundër projektit të PS për Territorialen: Mazhoranca synon magazinë votash

Partia Demokratike zhvilloi sot një tryezë të hapur për Reformën Territoriale, duke diskutuar problemet e trashëguara nga reforma e vitit 2015 dhe prezantuar projektin e propozuar nga opozita.

Në fjalën e tij, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Territoriale, deputeti Luçiano Boçi, kritikoi mazhorancën për qëllimin e saj, që sipas tij synon “krijimin e një magazine votash” dhe centralizimin e pushtetit vendor, duke kontrolluar institucionet për interes politik.

Boçi theksoi se PD ka propozuar rritjen e numrit të bashkive, edhe nëse do të reduktohet numri i qarqeve nga 12 në 8, me qëllim mbulimin e territorit dhe praninë e institucioneve që ofrojnë shërbime për qytetarët.

“Qëllimi i PS është rikontrolli sa më absolut i votës. Problemet e pushtetit lokal vijnë nga mungesa e investimeve dhe financimeve, jo nga lëvizja e popullsisë,” shtoi deputeti demokrat, duke krahasuar situatën me dështimin e reformës së vitit 2015.

Ai nënvizoi se Shqipëria është larg standardeve evropiane për administratë profesionale dhe transparencë, dhe se reforma e propozuar nga PD synon korrigjimin e politizimit të ekstrem dhe forcimin e pavarësisë së pushtetit lokal.

“Ne synojmë më shumë bashki, më pranë qytetarëve, me shërbime më të mira dhe decentralizim real. Mazhoranca kërkon më pak bashki dhe kontroll votash përmes pabarazisë. Zgjidhja jonë është një hartë e re territoriale që përmirëson cilësinë e administratës, pa synime elektorale,” tha Boçi.

PD thekson se qëllimi i saj është një pushtet vendor i pavarur, me shërbime të aksesueshme për qytetarët, integrim në standardet evropiane dhe mbështetje të decentralizimit, duke shmangur centralizimin dhe kontrollin politik të institucioneve lokale.