Ultimatum nga Donald Trump: Do të shkatërrojmë naftën dhe energjinë e Iranit nëse nuk ka marrëveshje’”

Tensionet mes SHBA dhe Iranit janë rritur ndjeshëm, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar një ndërhyrje të ashpër në rast se nuk arrihet një marrëveshje në kohë të shpejtë.

Në një reagim në platformën Truth Social, Trump deklaroi se SHBA mund të godasë objektiva strategjikë iranianë, duke përfshirë termocentralet, fushat e naftës dhe Ishullin Kharg – një nyje kyçe për eksportet energjetike të vendit.

Ai theksoi se Uashingtoni është i hapur për negociata me atë që e cilësoi si një “regjim më të arsyeshëm”, por paralajmëroi se çdo veprim ushtarak do të konsiderohej edhe si hakmarrje për ushtarët amerikanë të vrarë në të kaluarën.

Nga ana tjetër, Iran ka mohuar çdo kontakt të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, i cilësoi kërkesat amerikane si “të tepruara” dhe “jorealiste”, duke theksuar se komunikimi ka ndodhur vetëm përmes ndërmjetësve.

Sipas tij, qëndrimi i Teheranit mbetet i pandryshuar, ndërsa diferencat mes palëve duken ende të thella.

Në këtë klimë të tensionuar, deklaratat e forta nga të dyja palët shtojnë frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit në Lindjen e Mesme.