Momente tensioni janë regjistruar në SHBA, pasi një avion pasagjerësh që udhëtonte nga New York drejt Chicago u detyrua të ndryshojë kurs dhe të kryejë një ulje emergjente në Detroit.
Sipas raportimeve, avioni u izolua menjëherë pas uljes dhe u rrethua nga agjentë të FBI, ndërsa në aeroport u vu re një prani e shtuar e forcave të sigurisë.
Bëhet fjalë për një fluturim të American Airlines, i cili u devijua për arsye ende të paqarta. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e incidentit apo nëse ka pasur ndonjë kërcënim konkret për pasagjerët.
Në një deklaratë zyrtare, FBI konfirmoi praninë e agjentëve në vendngjarje, duke theksuar se ndërhyrja lidhet me zbatimin e ligjit, por pa zbuluar më shumë informacion.
Ndërkohë, hetimet janë në vijim dhe mbetet ende e paqartë se çfarë e shkaktoi këtë situatë alarmi, që ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore në vend.









