90 minuta nga historia – Kosova sfidon Turqinë për Botërorin dhe milionat

Atmosfera te Kombëtarja e Kosovës po arrin kulmin, ndërsa sfida vendimtare ndaj Turqisë afrohet me ritme të shpejta. “Dardanët” ndodhen vetëm një ndeshje larg një momenti historik për futbollin e vendit.

Skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka në dorë një mundësi të artë: një fitore ndaj Turqisë, në çdo formë – kohë e rregullt, shtesë apo penallti – do t’i siguronte Kosovës një biletë për në Kupën e Botës, por edhe një përfitim financiar prej rreth 9 milionë eurosh.

Një shpërblim i tillë do të ishte i paprecedentë për futbollin kosovar dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e tij në vitet në vijim.

Për Fisnik Asllanin dhe pjesën tjetër të skuadrës, kjo përballje nuk shihet më si një ëndërr e largët, por si një objektiv konkret. Kualifikimi në Botëror do t’i vendoste ata në skenën më të madhe të futbollit, duke i dhënë Kosovës një njohje globale që nuk e ka pasur më parë.