Një alarm serioz sigurie është ngritur në Bruksel pas një sulmi kibernetik që ka prekur Komisioni Evropian, duke vënë në rrezik të dhëna të ndjeshme të institucionit.
Sipas raportimeve, sulmi ka targetuar një nga llogaritë e Komisionit në platformën cloud të Amazon Web Services, duke shkaktuar një shkelje të mundshme të sigurisë. Incidenti është zbuluar në kohë, përpara se të shkaktonte dëme më të mëdha, ndërsa hetimet janë në vijim.
Autori i sulmit ka marrë përgjegjësinë dhe ka deklaruar se ka arritur të vjedhë mbi 350 GB të dhëna, përfshirë baza të dhënash dhe informacione të brendshme mbi stafin. Ai ka publikuar edhe prova në formën e screenshot-eve që tregojnë akses në sisteme dhe serverë emaili të institucionit.
Megjithatë, hackeri ka theksuar se nuk synon të kërkojë para apo të shantazhojë autoritetet, por paralajmëron se mund t’i publikojë të dhënat në internet në një moment të mëvonshëm – një zhvillim që mund të ketë pasoja serioze për sigurinë dhe privatësinë.
Ky incident vjen vetëm pak javë pas një tjetër shkeljeje sigurie, duke ngritur shqetësime për cenueshmërinë e sistemeve të institucioneve evropiane. Ekspertët paralajmërojnë se sulme të tilla mund të jenë pjesë e një vale më të gjerë që synon infrastrukturën kritike të Bashkimit Evropian.









