Një tjetër mesazh i atribuohet liderit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, edhe pse ai vazhdon të mos shfaqet në publik që nga marrja e detyrës në fillim të marsit.
Sipas mediave iraniane, në mesazhin e fundit ai falënderon klerikët dhe popullin irakian për “qëndrimin e tyre të qartë ndaj agresionit ndaj Iranit”. Mesazhi thuhet se është dorëzuar përmes kanaleve diplomatike pas një takimi në Bagdad.
Që nga ardhja në pushtet, disa deklarata të shkruara i janë atribuar Khameneit, por mungesa e tij totale në publik apo në transmetimet shtetërore ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi gjendjen e tij reale.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka hedhur dyshime të forta, duke deklaruar se lideri iranian mund të jetë “ose i vdekur ose në gjendje shumë të rëndë”, pasi nuk është parë apo dëgjuar publikisht.
Ndërkohë, autoritetet iraniane këmbëngulin se mungesa e tij lidhet me arsye sigurie, në një kohë kur Izraeli ka paralajmëruar se ai është një objektiv i mundshëm. Edhe më tej tensionin e shton fakti se SHBA ka vendosur shpërblime për disa drejtues iranianë, mes tyre edhe për liderin e ri suprem.
Në sfondin e një konflikti që po përshkallëzohet, heshtja dhe mungesa fizike e Khameneit po ushqejnë spekulime të shumta dhe pasiguri për drejtimin e ardhshëm të Iranit.









