Mëngjesin e kësaj të diele nisi zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të kompanisë “Kurum”, të cilët kanë qëndruar më shumë se një vit në Porto Romano.
Kontejnerët u transportuan drejt fshatit Vrinë, pranë Shënavlashit, në afërsi të pallateve të ndërtuara për të pastrehët e tërmetit, nën mbikëqyrjen e Prokurorisë dhe autoriteteve përkatëse. Policia e Durrësit po garanton sigurinë gjatë operacionit, ndërsa procesi synon trajtimin e sigurt të materialeve dhe vijimin e procedurave ligjore.
Skandali me mbetjet toksike mori zhurmë në javët e fundit kur Gjykata e Durrësit urdhëroi 33 arrestime, duke përfshirë punonjës të kompanive “Kurum” dhe “Sokolaj” si dhe zyrtarë të institucioneve shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga këto masa, 8 persona mbeten në arrest burg, 5 në arrest shtëpie dhe 7 nën detyrim paraqitjeje.
Zhvendosja e kontejnerëve në Vrinë ka ndezur shqetësime të reja për sigurinë e banorëve dhe afërsinë me zonat ku jetojnë të pastrehët, ndërsa autoritetet theksojnë se procesi po kryhet sipas procedurave ligjore për menaxhimin e rrezikshëm të mbetjeve.









