Kryen filmime të ndaluara dhe përhapën lajme të rreme – Arrestohen 35 persona në Iran

Autoritetet iraniane kanë arrestuar 35 persona në provincën perëndimore Lorestan, nën akuza për filmime të paligjshme të objekteve të ndjeshme ushtarake dhe për përhapjen e informacioneve që konsiderohen të rreme, raporton agjencia shtetërore Tasnim.

Nga të ndaluarit, 16 persona akuzohen se kanë realizuar video në mënyrë të paligjshme brenda zonave të ndjeshme dhe kanë bashkëpunuar me media që autoritetet i cilësojnë “armiqësore”. 19 të tjerë janë arrestuar për përhapje lajmesh të rreme që, sipas qeverisë iraniane, kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe rendin publik.

Agjencia Tasnim citon burime zyrtare që nënvizojnë se arrestimet janë pjesë e masave të autoriteteve për të parandaluar aktivitetet që mund të dëmtojnë sigurinë e vendit, duke përfshirë regjistrimin e lokacioneve strategjike dhe shpërndarjen e informacionit të pasaktë.