Dhjetë shtetas britanikë janë arrestuar në Dubai pasi fotografuan dhe filmonin sulmet me raketa dhe dronë në Emiratet e Bashkuara Arabe, raporton Sky News. Pesë prej tyre janë liruar më pas, por autoritetet paralajmërojnë se situata mund të jetë më serioze nga sa duket.
Ministria e Jashtme britanike ka lëshuar një paralajmërim për udhëtarët që shkojnë në Dubai: publikimi në internet i materialeve që kritikojnë qeverinë, kompanitë apo individët e Emirateve të Bashkuara Arabe, ose që lidhen me incidente në vend, mund të konsiderohet i paligjshëm. Kjo përfshin foto, video dhe postime që mund të interpretohen si abuzive, tallëse ose kulturorisht të papërshtatshme.
Sipas Radha Stirling, drejtoreshës ekzekutive të organizatës “Detained in Dubai”, numri real i të arrestuarve mund të jetë shumë më i madh: “Vlerësimi im është se janë arrestuar midis 50 dhe 70 persona, ndoshta edhe më shumë. Deri në fund mund të shohim deri në 100 ose 150 raste.”
Stirling shtoi se vështirësitë për të përcaktuar numrin real lidhen me mungesën e raportimeve nga të arrestuarit dhe vështirësitë e kontakteve me ambasadat e tyre: “Nuk do ta dimë shkallën e vërtetë derisa njerëzit të jenë larguar nga vendi dhe të flasin lirshëm për përvojat e tyre.”









