Kryeministri Edi Rama, gjatë podkastit “Flasim”, foli për rritjen e çmimeve të karburanteve dhe rolin e Bordit të Transparencës në këtë proces.
Ai theksoi se Bordi nuk vendos çmimet në mënyrë arbitrare, por ndjek lëvizjet e tregjeve ndërkombëtare, duke reflektuar ndryshimet në kohë reale edhe në Shqipëri. Sipas tij, ulja artificiale e çmimit mund të rrezikojë kapacitetet e furnizimit në vend.
Rama sqaroi se mekanizmi i Bordit synon të mbrojë konsumatorët nga abuzimet, duke vendosur çmime tavan dhe duke penguar operatorët të përfitojnë në mënyrë të padrejtë nga situatat e tregut.
Ai shtoi se çmimet në Shqipëri janë të lidhura drejtpërdrejt me bursat ndërkombëtare, pasi vendi e importon naftën, dhe për këtë arsye çdo luhatje globale reflektohet edhe në tregun vendas.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se institucionet do të vijojnë monitorimin për të garantuar transparencë dhe zbatim të rregullave, duke paralajmëruar masa të menjëhershme deri në pezullim aktiviteti për operatorët që shkelin vendimet e Bordit.









