Tensionet mes kryeministrit Edi Rama dhe deputetes Elisa Spiropali janë thelluar edhe më tej, duke kulmuar me një përplasje të dytë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist.
Sipas burimeve, incidenti ndodhi gjatë prezantimit të strategjisë së komunikimit nga ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismailaj. Në këtë moment, Spiropali është parë duke reaguar me mimika dhe të qeshura, çka ka tërhequr vëmendjen e Ramës.
Kryeministri i është drejtuar me tone kritike, ndërsa situata ka degraduar në një shkëmbim të drejtpërdrejtë replikash. Rama i ka kërkuar deputetes të largohet nga salla, por Spiropali ka refuzuar të zbatojë urdhrin, duke këmbëngulur se nuk kishte bërë asgjë të gabuar.
Pavarësisht përplasjes, mbledhja ka vijuar normalisht dhe Spiropali nuk është larguar nga salla, duke e lënë të hapur tensionin mes dy figurave të rëndësishme të mazhorancës.









