LAJMI I FUNDIT/ Tensionohet situata në PS – Përplasje mes Ramës dhe Spiropalit gjatë mbledhjes së grupit

Një episod tensioni është regjistruar në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama dhe deputetja Elisa Spiropali janë përfshirë në një përplasje verbale.

Sipas burimeve nga mbledhja, situata u ndez gjatë raportimit të drejtoreshës së Kadastrës, Lorena Goxhobelli, e cila po informonte deputetët për proceset e legalizimeve dhe digjitalizimit. Në një moment, Spiropali ndërhyri duke kërkuar më shumë respekt në komunikim ndaj deputetëve.

Reagimi i kryeministrit Rama ishte i menjëhershëm dhe me tone të ashpra, duke i kërkuar deputetes të mos ndërhynte më gjatë diskutimit. Pas kësaj ndërhyrjeje, Spiropali bëri disa komente të shkurtra dhe më pas ndaloi reagimet.

Ngjarja ka nxjerrë në pah tensionet e brendshme në radhët e mazhorancës, në një moment kur çështje si legalizimet dhe digjitalizimi mbeten tema të ndjeshme për publikun dhe politikën.