E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka zhvilluar gjatë javëve të fundit një sërë takimesh me ministrat e emëruar së fundmi në qeverinë shqiptare.
Sipas një njoftimi të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, takimet janë fokusuar në prioritetet e përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
VanHorn është takuar me zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës Enea Karakaçi, ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, si dhe ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismaili.
Gjatë këtyre takimeve, ajo ka ritheksuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për bashkëpunim të ngushtë me Shqipërinë, duke vënë theks të veçantë në luftën kundër krimit të organizuar dhe forcimin e sigurisë.
“VanHorn ritheksoi përkushtimin e Ambasadës së SHBA-së në zbatimin e agjendës së Shtëpisë së Bardhë: eliminimin e plotë të karteleve të krimit të organizuar, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s dhe krijimin e marrëveshjeve të drejta për kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri”, thuhet në njoftim.









