Kombëtarja e Shqipërisë ka zhvilluar seancën e radhës stërvitore në Varshavë, në ambientet e Legia Warsaw, skuadër ku aktivizohet Ernest Muçi dhe ku ai konsiderohet si një nga lojtarët më të dashur për tifozët vendas.
Kuqezinjtë po përgatiten për ndeshjen miqësore ndaj Ukrainës, e cila do të zhvillohet në Valencia. Kjo sfidë vjen pas eliminimit të të dyja ekipeve nga gjysmëfinalet e fazës “play-off” për Botërorin.
Në radhët e Shqipërisë mungon Arlind Ajeti, i cili pësoi dëmtim në ndeshjen ndaj Polonisë.
Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, skuadra është stërvitur e ndarë në dy grupe: lojtarët që u aktivizuan në ndeshjen e fundit u fokusuan te rikuperimi dhe ushtrimet në palestër, ndërsa pjesa tjetër e ekipit zhvilloi një seancë të plotë stërvitore.
Pasditen e sotme, ekipi do të udhëtojë drejt Valencias, ku më 31 mars, në orën 20:45, do të përballet me Ukrainën në një ndeshje miqësore.









