VIDEO-LAJM/ Berisha edhe sot vetëm premtoi protesta, pa caktuar një datë – Të vjetrat u shuan mes fishekzjarresh dhe braktisjes

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijon të flasë për protesta të reja, por pa qenë në gjendje të japë as një datë konkrete për mobilizimin e radhës të opozitës.

Në një deklaratë publike, Berisha kërkoi ndjesë për vonesën në shpalljen e protestës, duke premtuar se ajo do të njoftohet “shumë shpejt”. Megjithatë, përtej premtimeve, mbetet e paqartë se çfarë objektivi konkret synohet të arrihet, në një kohë kur protestat e fundit nuk prodhuan rezultate të dukshme politike.

Në vend të presionit të paralajmëruar ndaj qeverisë, tubimet e mëparshme u karakterizuan nga pjesëmarrje e luhatshme, shpërthime fishekzjarresh dhe largim gradual i qytetarëve, duke lënë pas më shumë pikëpyetje sesa ndikim real.

Pavarësisht kësaj, Berisha këmbëngul se “protesta është e vetmja rrugë”, ndërsa opozita duket se po zvarritet mes retorikës dhe mungesës së një strategjie të qartë, teksa koha kalon dhe zgjedhjet vendore të vitit 2027 afrohen.

Në këtë klimë, pritja për protestën e radhës po shoqërohet jo vetëm me mungesë datash, por edhe me skepticizëm në rritje për efektivitetin e saj.