Kombëtarja e Turqisë ka siguruar kualifikimin në finalen e “play-off”-it të Kupës së Botës, pas një fitoreje minimale 1-0 ndaj Rumanisë në shtëpi.
Turqit dominuan pjesën më të madhe të takimit, duke krijuar disa raste të rrezikshme me Hakan Çalhanoğlu, Arda Güler dhe Kenan Yıldız, por pa arritur të gjejnë rrugën e rrjetës në pjesën e parë.
Nga ana tjetër, edhe Rumania pati momentin e saj më të mirë, kur Vlad Dragomir shpërdoroi një mundësi të artë nga afërsia.
Goli vendimtar erdhi në një moment të papritur, kur Arda Güler dhuroi një asist të shkëlqyer nga gjysma e fushës për Ferdi Kadioglu, i cili realizoi me qetësi përballë portierit kundërshtar, duke vulosur fitoren.
Pavarësisht rasteve të tjera të krijuara nga Güler dhe Yıldız, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund.
Me këtë sukses, Turqia bëhet skuadra e parë finaliste e “play-off”-it dhe do të përballet me fituesin e çiftit Kosovë – Sllovaki, me mundësinë që ndeshja finale të zhvillohet në Prishtinë, nëse “Dardanët” arrijnë të kualifikohen.









