Sulm misterioz në Detin e Zi – Droni godet anijen turke me 1 milion fuçi naftë

Një incident i rëndë është regjistruar në Detin e Zi, ku një cisternë turke e naftës bruto është shënjestruar nga një dron.

Sipas ministrit turk të Transportit, Abdulkadir Uraloğlu, anija M/T Altura, me 27 anëtarë ekuipazhi turq në bord, u sulmua rreth 15 milje detare larg Ngushticës së Bosforit.

Raportimet tregojnë se cisterna ishte nisur nga porti rus i Novorossiysk, duke transportuar rreth 1 milion fuçi naftë të papërpunuar ruse të tipit Urals.

Anija rezulton të jetë nën sanksione nga Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa nuk është e sanksionuar nga SHBA.

Fatmirësisht, deri më tani nuk ka raportime për persona të lënduar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.