Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur sërish akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se dy klubet më të mëdha sportive të vendit, Partizani dhe Dinamo, nuk janë më institucione sportive, por pronë personale e familjes së kryeministrit.
Në një konferencë për media, Berisha u shpreh se klubet përdoren për pastrim parash dhe baste sportive: Partizani sipas tij operohet nga vëllai i Ramës, Olsi, ndërsa Dinamo “ia kanë dhuruar” biznesmenit të kërkuar nga SPAK, Ergys Agasi.
“Dinamo, pasi i morën 75 mijë metër katrorë tokë, ia plackitën,” tha Berisha. “E transferuan në Durrës për Ergys Agasin dhe e kthyen në një ‘Agasi City’. Përpara tij, klubi i kishte një Paskuçi, një tregtar kafeje që u detyrua të shesë aksionet. Sot, Agasi kontrollon gjithçka: klubin, akademinë, dhe, ndoshta së shpejti, edhe Dinamo City-n.
Partizani dhe Dinamo, vazhdoi ai, janë kthyer në qendra mafioze për baste dhe pastrim parash nga mëngjesi deri në darkë, duke përfshirë edhe paratë e drogës. “Kjo nuk është thjesht politikë, është grabitje sportive dhe financiare e institucioneve të sportit të vendit,” shtoi Berisha.
Ai bëri thirrje urgjente për Federatën Ndërkombëtare të Futbollit që të ndërhyjë dhe të hetojë këto struktura, që sipas tij po shndërrojnë dy klubet historike shqiptare në “domaine supermafioze” nën kontrollin e Ramës dhe familjes së tij.









