Lufta është fituar” – Donald Trump: Irani kërkon marrëveshje, jemi në kontakt me “personat e duhur”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se konflikti me Iranin është “fituar”, ndërsa theksoi se po vijojnë komunikimet për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

Në një prononcim për mediat, Trump u shpreh se administrata e tij është në kontakt me “personat e duhur” në Teheran, duke shtuar se pala iraniane është e interesuar për një marrëveshje. Ai bëri të ditur se në procesin e negociatave janë të përfshirë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se goditjet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit kanë sjellë një “ndryshim regjimi”, megjithëse u shpreh skeptik duke theksuar se nuk i beson plotësisht palës tjetër në këtë proces.

Një tjetër element i paqartë nga deklaratat e tij ishte përmendja e një “shpërblimi shumë të rëndësishëm” që, sipas Trump, i është ofruar SHBA-së nga negociatorët iranianë. Ai la të kuptohet se kjo mund të lidhet me sektorin e energjisë dhe me kontrollin e Ngushticës së Hormuzit, pa dhënë detaje konkrete.

Megjithatë, deklaratat e tij nuk sqaruan se si pritet të përfundojë konkretisht konflikti. Ndërkohë, raportime të mediave ndërkombëtare sugjerojnë se Pentagoni po shqyrton mundësinë e dërgimit të forcave shtesë në rajon, përfshirë njësi nga Divizioni i 82-të Ajror, si pjesë e përgatitjeve të mundshme ushtarake.