Prioritetet qeveritare pas Asamblesë së partisë – Edi Rama mbledh ministrat dhe drejtuesit – i pranishëm edhe kreu i AKSHI-t… (VIDEO+FOTO)

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë mëngjes një seri takimesh në “Vilën 30”, ku morën pjesë ministra, zv.ministra dhe drejtues të institucioneve qendrore. Mbledhja nisi rreth orës 09:00 dhe u fokusua kryesisht te prioritetet e çdo dikasteri dhe çështjet kryesore për qeverisjen.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, diskutoi me kryeministrin për çështje operacionale dhe bashkëpunimin me Ministrinë e Pushtetit Vendor, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, trajtoi temat prioritare ligjore, përfshirë ndryshimet e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Takime të veçanta zhvilloi edhe Ervin Demo lidhur me sistemin e adresave, ndërsa nga ministria e Marrëdhënieve me Parlamentin mori pjesë Erjona Ismaili.

Ndër të pranishmit ishin gjithashtu drejtues të Policisë së Shtetit dhe Illyrian Guard, si dhe kreu i AKSHI, Igli Tafa, i cili është përballur së fundi me sfida ligjore për akuzat e abuzimeve në tendera.

Takimet e sotme vijnë pas Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste, ku u bënë ndryshime në drejtimin politik të qarqeve dhe u evidentuan sfidat dhe arritjet e partisë, me qëllim përmirësimin e koordinimit dhe rezultateve elektorale.