Irani mohon negociatat me SHBA – Kreu i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf: “Lajme të rreme për të manipuluar tregjet”

Irani ka mohuar sërish zhvillimin e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, duke kundërshtuar deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump për përparim në negociata mes dy vendeve.

Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, reagoi përmes një postimi në rrjetin “X”, ku i cilësoi raportimet si “lajme të rreme” dhe mohoi çdo kontakt me Uashingtonin.

“Nuk janë zhvilluar negociata me SHBA-në dhe këto lajme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës, si dhe për të dalë nga situata e vështirë në të cilën ndodhen SHBA-ja dhe Izraeli,” shkroi ai.

Deklarata e Ghalibaf vjen në një kohë kur Donald Trump kishte pohuar më herët se kontaktet mes Uashingtonit dhe Teheranit kanë qenë pozitive dhe se Irani është i interesuar për një marrëveshje.

Reagimi i tij gjithashtu bie ndesh me raportimet e një zyrtari izraelit për agjencinë Reuters, sipas të cilave Ghalibaf do të ishte përfshirë në negociata me SHBA-në, duke shtuar paqartësinë rreth zhvillimeve diplomatike mes dy vendeve.