Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, reagoi pas rezultateve të para të referendumit për reformën në drejtësi, ku fitoi kampi kundër ndryshimeve të propozuara.
Në një videomesazh të publikuar në rrjetet sociale, Meloni theksoi se qeveria do të respektojë verdiktin e qytetarëve dhe do të vijojë punën me përgjegjësi.
“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim. Do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt ndaj popullit italian dhe Italisë,” tha kryeministrja.
Deklarata e saj vjen menjëherë pas konfirmimit të rezultatit, i cili shënon një fitore të kampit kundër ndryshimeve në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, Meloni la të kuptohet se ekzekutivi do të vijojë angazhimin politik dhe qeverisës, duke ruajtur stabilitetin dhe vazhdimësinë e administratës.









