Rutte hedh poshtë alarmin e Izraelit – NATO nuk konfirmon kërcënimin iranian ndaj kryeqyteteve evropiane

Shefi i NATO, Mark Rutte, ka deklaruar se aleanca nuk mund të konfirmojë për momentin pretendimet e Izrael se Irani disponon raketa të afta për të goditur kryeqytete evropiane si Paris, Berlin dhe Londër.

Në një intervistë për CBS News, Rutte theksoi se këto pretendime janë ende në proces verifikimi:
“Ne nuk mund ta konfirmojmë këtë për momentin. Po e shqyrtojmë,” u shpreh ai.

Deklaratat vijnë pas një sulmi iranian ndaj bazës ushtarake në Diego Garcia, i cili, ndonëse i pasuksesshëm, ngriti dyshime mbi rritjen e kapaciteteve raketore të Teheranit.

Rutte paralajmëroi se, nëse këto pretendime rezultojnë të vërteta, ato do të përbënin një provë të fortë për rrezikun në rritje, duke shtuar se Irani është “shumë afër” arritjes së një kapaciteti të tillë.

Ai e lidhi këtë zhvillim edhe me tensionet aktuale dhe veprimet e Donald Trump ndaj Iranit, duke nënvizuar shqetësimet mbi programin bërthamor të vendit.

Situata mbetet e paqartë, ndërsa NATO vijon vlerësimin e të dhënave për të përcaktuar nëse kërcënimi ndaj Evropës është real apo i ekzagjeruar.