Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, është shfaqur optimist përpara përballjes vendimtare ndaj Poland në gjysmëfinalen e “play-off”-it për Kupën e Botës, duke theksuar se Shqipëria do të luftojë deri në fund për një vend në Botëror.
Në një intervistë për mediat braziliane, tekniku kuqezi u shpreh se rruga është e vështirë, por jo e pamundur. Ai nënvizoi se fitorja historike ndaj Serbia ka rritur besimin e skuadrës dhe ka treguar se Shqipëria mund të përballet denjësisht me çdo kundërshtar.
“Do të luftojmë për veten, për vendin dhe për tifozët. Në futboll, në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka”, u shpreh Sylvinho, duke shtuar se ekipi ka ndërtuar një projekt të fortë dhe një grup lojtarësh të përkushtuar.
Ai vlerësoi kundërshtarin polak si një skuadër të fortë, jo vetëm për shkak të yjeve si Robert Lewandowski, por edhe për cilësinë e përgjithshme të ekipit. Megjithatë, trajneri theksoi se Shqipëria do të hyjë në fushë për të dhënë maksimumin dhe për të kërkuar një fitore historike.
Sylvinho u ndal edhe te projekti afatgjatë i kombëtares, duke theksuar se puna e bërë në tre vitet e fundit ka krijuar një ekip të organizuar dhe konkurrues, me lojtarë që aktivizohen në liga të rëndësishme europiane.
Në prag të kësaj sfide vendimtare, besimi në kampin kuqezi mbetet i lartë: objektivi është i qartë – një vend në Botëror dhe një tjetër faqe historie për futbollin shqiptar.
Intervista:
Kur mësove që Ançeloti do të drejtojë Brazilin, për herë të parë që një trajner i huaj drejton Brazilin në një Kupë Bote, çfarë mendove?
Unë mendoj se është një nga më të mirët, me një CV të lakmueshme. Ka kaluar nëpër klubet më të mëdha. E shoh që flet shumë mirë portugalisht. Natyrisht, nëse shkoj në Botëror me Shqipërinë sepse kemi një “playoff” përpara dhe kemi tre muaj që punojmë, nuk është e lehtë. Por nëse shkojmë, e njoh mirë: është një trajner shumë i mirë, me përvojë, me menaxhim shumë të mirë dhe shumë i qetë. Më pëlqen shumë ta shoh dhe intervistat e tij. Jam i kënaqur dhe shpresoj për një Botëror të mirë.
Fitorja në Serbi mund të jetë ndër më të rëndësishmet në histori, sepse ju afron me Botërorin, që është një nivel tjetër. A mendon se ajo fitore në Serbi ju jep shpresë për të mundur edhe Poloninë dhe kundërshtarët e tjerë?
Po, absolutisht. Ishte një fitore shumë e rëndësishme dhe na jep besim se mund të konkurrojmë me këdo.
Mund të bësh një përmbledhje të punës që keni bërë me kombëtaren?
Është një projekt trevjeçar. Pas eksperiencës me Brazilin si asistent, kuptova që duhet të jetoj dhe punoj brenda vendit. Jetojmë në Tiranë, me stafin ku përfshihet edhe Pablo Zabaleta. Kemi ndërtuar një ekip të organizuar, me lojtarë teknikë që duan futbollin dhe uajnë me pasion. Kemi rezultate të mira dhe një grup shumë të fortë.
Sa e vështirë është kjo rrugë drejt Botërorit?
Është e vështirë, por jo e pamundur. Do të luftojmë për gjithçka, për veten, për vendin dhe për tifozët. Në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka. Polonia është shumë e fortë, jo vetëm Levandovski, por edhe lojtarë të tjerë. Por ne do të provojmë.
Si e përjetuat fitoren në Serbi dhe si u prit në Shqipëri?
U përgatitëm shumë mirë, edhe duke kuptuar kontekstin jashtë futbollit. Donim që gjithçka të mbetej futboll. Pas fitores, pati një reagim shumë të madh. Lojtarët dhe stafi ishin shumë të lumtur. Ishte e vetmja mënyrë për të arritur në “playoff”. Edhe drejtuesit e federatës dhe figura të tjera na uruan. Ishte një fitore shumë e bukur.
A i di kundërshtarët nëse kualifikoheni në Botëror?
Nuk i njoh plotësisht, por e di që janë Holanda, Tunizia dhe Japonia.
Kjo do të thotë që ke shpresë reale për kualifikim, apo jo?
Po, sepse e kemi ndjekur shortin dhe e dimë çfarë na pret. Nuk është e lehtë, por nuk është e pamundur. Kemi respektin e kundërshtarëve dhe lojtarët tanë luajnë në liga të mira. Do të përpiqemi maksimalisht.
Nga ndeshjet e Euro-s, Shqipëria ishte ajo që i krijoi më shumë probleme Spanjës. Si e përjetove atë ndeshje?
Po, është e vërtetë. Ishte një ndeshje shumë e mirë, ashtu si edhe ajo kundër Kroacisë (2-2). Kundër Spanjës donim të qëndronim në lojë sa më gjatë dhe të provonim të fitonim. Por pasi pësuam gol, u vështirësua gjithçka. Megjithatë, ekipi nuk humbi kontrollin. Sepse nëse sulmon pa mend kundër një ekipi të tillë, mund të pësosh shumë gola shpejt.
A mendon se ajo ndeshje mund t’ju ndihmojë kundër Polonisë?
Po, patjetër. Ajo përvojë do të na shërbejë për ndeshjet e ardhshme.
Në “playoff”-e ndodhin shpesh surpriza. Pse jo Shqipëria në Botëror?
Shpresojmë! Do të japim maksimumin e do të luftojmë për këtë objektiv.









