Pretendimi që trondit Italinë – 55-vjeçari kërkon test ADN-je: Jam djali sekret i Adriano Celentano!

Një histori që duket si skenar filmi ka shpërthyer në Itali, ku një 55-vjeçar nga Roma pretendon se është djali i fshehtë i legjendës së muzikës italiane, Adriano Celentano.

Antonio Maria Segatori ka dalë publikisht me këtë pretendim, duke kërkuar që e vërteta të zbardhet përmes një testi ADN. Në një intervistë për median italiane, ai rrëfen se nëna e tij, një këngëtare e re në vitet ’60, kishte qenë pjesë e grupit artistik “Clan Celentano”, periudhë në të cilën, sipas tij, ka nisur edhe lidhja me artistin e famshëm.

55-vjeçari këmbëngul se nuk kërkon përfitime apo famë, por vetëm të dijë të vërtetën për origjinën e tij. Ai është i vendosur të ndjekë rrugë ligjore, nëse është e nevojshme, për të detyruar kryerjen e testit të ADN-së që do të vërtetonte ose rrëzonte përfundimisht pretendimin e tij.

Nga ana tjetër, reagimi i Celentanos ka qenë i menjëhershëm dhe me nota ironie. Artisti ka hedhur poshtë pretendimin me një koment thumbues në rrjetet sociale, duke shkruar: “Nuk jam babai yt… jam gjyshi yt”, një përgjigje që ka bërë xhiron e mediave.

Historia ka ndezur menjëherë debat në Itali dhe më gjerë, duke rikthyer në vëmendje jetën private të këngëtarit legjendar. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo çështje do të përfundojë në gjykatë dhe nëse një test ADN do të japë përgjigjen përfundimtare për këtë pretendim të bujshëm.