PD arenë kacafytjesh pa fund – Ish-rithemeluesja Evi Kokalari shpërthen ndaj Flamur Nokës – “S’do të të le të marrësh frymë!”

Tensionet brenda Partia Demokratike e Shqipërisë po arrijnë kulmin, teksa aktivistja shqiptaro-amerikane Evi Kokalari ka lëshuar një sulm frontal ndaj sekretarit të përgjithshëm të kësaj force politike, Flamur Noka.

Përmes një reagimi të fortë në rrjetet sociale, Kokalari e akuzon Nokën për shpifje dhe manipulim, duke mohuar kategorikisht pretendimet se ajo ka krijuar një parti të re politike apo se ka pasur një rol të kufizuar në lëvizjen e “Rithemelimit”. Ajo thekson se kontributi i saj ka qenë i vazhdueshëm dhe publik, ndërsa paralajmëron se nuk do të tolerojë më deklarata që, sipas saj, dëmtojnë figurën e saj politike.

Në një gjuhë të ashpër dhe pa filtra, Kokalari shprehet se angazhimi i saj nuk lidhet me poste apo “karrige”, por me një mision që, sipas saj, synon të pastrojë Partinë Demokratike nga individë që i konsideron të papërshtatshëm për drejtimin e saj. Ajo shkon edhe më tej, duke deklaruar se do të vazhdojë betejën e saj politike pa kompromis ndaj kujtdo që, sipas saj, përhap të pavërteta.

Kokalari sqaron gjithashtu se nuk ka themeluar asnjë parti apo strukturë të regjistruar ligjërisht, duke e cilësuar këtë si një keqinterpretim ose shpifje të qëllimshme. Sipas saj, mungesa e një angazhimi formal në strukturat e PD-së lidhet me çështje ligjore për shkak të aktivitetit të saj në Shtetet e Bashkuara.

Ky përshkallëzim i retorikës vjen në një moment delikat për Partinë Demokratike, e cila ndodhet përballë zgjedhjeve të reja për drejtimin e saj. Vetë Kokalari ka shpallur më herët kandidaturën për kryetare, duke e futur veten në një garë që pritet të jetë e tensionuar dhe me përplasje të forta brenda partisë.

Përplasja e hapur mes figurave të rëndësishme të PD-së tregon për një klimë të ndezur politike brenda kësaj force, ku debatet dhe akuzat publike po bëhen gjithnjë e më të forta, duke reflektuar ndarjet e thella që vijojnë të karakterizojnë opozitën shqiptare.

Reagimi i plotë i Kokalarit:

Flamur Noka & Flamur Noka pse gënjen dhe thua publikisht që Evi Kokalari ka themeluar parti tjetër dhe konservatore?

Ty s’do të të lë të marrësh frymë kështu që ky është paralajmërim!

Me mashtrime dhe shpifje nuk e fitoni dot këtë luftë… dhe ajo që paskam qenë thjesht “kontributore” nuk ia shet dot publikut shqiptar, sepse mediat “kontributin” tim e kanë mbuluar çdo ditë dhe çdo minutë, pra faktet janë shkruar tashmë.

Postin e nënkryetarit e kam refuzuar, sepse këtë nuk e bëj për karrike, por është një mision për të larguar injorantë si ty dhe për të shpëtuar PD-në.

Tani, nëse je aq idiot (që të gjithë thonë që je) dhe nuk kupton ndryshimin mes një lëvizjeje dhe një partie, shko pyet Xhozin, që e keni futur në parlament pa asnjë votë dhe që partia e saj akoma ekziston aktive në gjykatë.

Nëse nuk arrin të publikosh dokumentat e gjykatës për krijimin e partisë time, (i gjen kollaj këto online), por qoftë edhe të lëvizjes, të lutem llogarit mirë shpifjet që thua nëpër media, sepse, siç thashë, për asnjë nga ju s’kam mëshirë në këtë pikë.

Dhe, meqë ra fjala, as lëvizja nuk është regjistruar në gjykatë, pra ishte një lëvizje që nuk e shtyva, pasi kuptova dhe ekspozova që Berishës dhe Metës u hyri realisht frika kur u distancova nga ju dhe financuan lëvizjen e Llapajt.

Evi Kokalari s’ka hapur kurrë parti tjetër dhe e vetmja arsye pse nuk u anëtarësova në PD — dhe Berisha e di mirë këtë, sepse e kemi diskutuar gjatë dhe unë jam konsultuar me avokatë në SHBA — ishte sepse nuk doja probleme me DOJ dhe FARA-n, që mund ta konsideronin lobim pjesëmarrjen time në PD, pra për një parti të huaj, duke pasur parasysh që isha shumë e lidhur me elementë të ndryshëm të Partisë Republikane, duke përfshirë këtu edhe kongresmenë dhe senatorë të asaj periudhe.

Hi syve nuk na hidhni dot, por vazhdoni ekspozoni çfarë monstrash jeni. Kjo më ndihmon shumë në këtë garë!!!