VIDEO-MESAZHI/ Urim për Eid al-Fitr – Kreu i KMSH-së përcjell paqe dhe harmoni për besimtarët

Kreu i Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Eid al-Fitr, e cila shënohet ditën e nesërme.

Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë shpirtërore të muajit të Ramazanit, duke e cilësuar atë si një periudhë përkushtimi, sakrifice dhe afrimi me Zotin përmes agjërimit, lutjeve dhe veprave të mira.

Spahiu uroi që kjo festë të sjellë paqe, harmoni dhe begati në çdo familje shqiptare, duke vënë në pah vlerat që simbolizon Fitër Bajrami, si mëshira, falja, dashuria dhe solidariteti.

“Të nderuar besimtarë myslimanë, të dashur qytetarë. Nesër kemi festën e Fitër Bajramit dhe kam kënaqësinë t’ju përcjell urimet më të sinqerta. Le të jetë kjo ditë një moment gëzimi, bashkimi dhe mirësie për të gjithë”, shprehet ai ndër të tjera.

Në përfundim, në emër të institucionit që drejton, ai uroi:
“Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e pranoftë agjërimin dhe lutjet tuaja dhe ju dhëntë paqe, shëndet dhe begati.”