“BE nuk pranon autokratë në parti dhe shtet” – Salianji zyrtarizon kandidaturën për kreun e PD: Berisha dhe Rama janë njësoj!

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot një tryezë me intelektualë dhe pedagogë, duke theksuar se Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian për sa kohë udhëhiqet nga autokratë që privatizojnë partitë dhe institucionet e shtetit.

Salianji deklaroi se Sali Berisha dhe Edi Rama nuk ndryshojnë nga njëri-tjetri, duke krijuar një model oligarkik ku pushteti politik dhe interesat ekonomike janë të ndërlidhura. Ai shtoi se demokracia e brendshme e partive është e mangët dhe institucionet e dobësuara nuk garantojnë një proces vendimmarrës të drejtë.

“Pa parti që i nënshtrohen rregullave, nuk ka demokraci. Dorëheqjet si shenjë përgjegjësie janë zhdukur, ndërsa politika duket se dekurajon qytetarët dhe intelektualët të marrin pjesë në vendimmarrje,” u shpreh Salianji.

Ai gjithashtu vlerësoi rezistencën e SPAK-ut dhe rolin e saj në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke nënvizuar rëndësinë e sundimit të ligjit si kusht për integrimin europian.