“Energji në këmbim të ribashkimit” – Kina i ofron Tajvanit furnizim në këmbim të dorëzimit paqësor ndaj Pekinit

Kina ka intensifikuar presionin ndaj Tajvanit, duke i ofruar siguri energjetike në këmbim të pranimit të “ribashkimit paqësor” me Pekinin, në një moment kur kriza në Lindjen e Mesme ka tronditur tregjet globale të energjisë.

Propozimi u bë publik nga zëdhënësi i Zyrës së Çështjeve të Tajvanit, Chen Binhua, i cili deklaroi se një ribashkim me Kinën do t’i garantonte ishullit furnizim të qëndrueshëm me energji dhe burime, duke e lidhur këtë ofertë me pasiguritë globale të shkaktuara nga konflikti dhe bllokimi i rrugëve detare si Ngushtica e Hormuzit.

“Nëse ribashkimi realizohet, Tajvani do të ketë mbështetjen e një atdheu të fortë dhe siguri të qëndrueshme energjetike”, u shpreh ai në Pekin.

Ndërkohë, Tajvani ka reaguar duke theksuar se furnizimet me energji janë të garantuara për muajt në vijim. Presidenti Lai Ching-te deklaroi se vendi ka siguruar burime alternative, përfshirë importe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar një strategji të diversifikuar për energjinë.

Kriza aktuale ka ndikuar ndjeshëm në furnizimin global, pasi Tajvani më parë siguronte një pjesë të konsiderueshme të gazit të lëngshëm nga Katari. Ndërkohë, Kina – importuesja më e madhe e naftës në botë – ka ndërmarrë masa për të kufizuar eksportet e karburantit për të shmangur mungesat e brendshme.

Pekini ka përsëritur për vite me radhë ofertën “një vend, dy sisteme” për Tajvanin, por kjo është refuzuar vazhdimisht nga forcat kryesore politike në ishull. Autoritetet tajvaneze theksojnë se e ardhmja e vendit mund të vendoset vetëm nga populli i tij.

Zhvillimet e fundit tregojnë se Kina po përpiqet të shfrytëzojë krizën energjetike globale si një mjet presioni politik ndaj Tajvanit, duke lidhur sigurinë ekonomike me objektivat e saj strategjikë për ribashkim.