GJKKO e çoi dosjen ‘Meta’ në gjykim – Reagon nga qelia Ish-presidenti – Paralajmëron ofensivë të fortë ndaj akuzave”

Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas vendimit të GJKKO për rrëzimin e të gjitha kërkesave për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave në dosjen e njohur si “Meta”.

Në një status publik, Meta e ka cilësuar procesin si “drejtësi me regji”, duke theksuar se vendimi i fundit përbën një “gjykim me risi”. Ai kritikon mënyrën e zhvillimit të çështjes, duke vënë në dukje se edhe pse gjykata ka pranuar disa pretendime të mbrojtjes për mungesë të veprimeve hetimore nga ana e akuzës, dosja është dërguar për gjykim pa u kryer hetimet e nevojshme.

“Kjo krijon një situatë të pazakontë, ku procesi gjyqësor zhvillohet paralelisht me hetimet”, shkruan Meta, ndërsa fton gazetarët dhe trupin diplomatik të ndjekin çdo seancë. Ai premton se do të “çmontojë publikisht” akuzat, të cilat sipas tij përmbajnë gënjeshtra dhe falsifikime.

Vendimi i Gjyqtarja Irena Gjoka pranon rrëzimin e kërkesave paraprake, duke lënë të hapur vendimin për t’u caktuar se kur dhe si do të zhvillohet gjykimi në themel për dosjen ku janë të përfshirë pesë të pandehur, mes tyre edhe Monika Kryemadhi.

Ky reagim i ish-presidentit shqiptar i jep çështjes një dimension të ri politik dhe medial, duke rritur tensionin rreth një prej dosjeve më të ndjekura në vend dhe duke ngjallur pritshmëri për zhvillimet në gjykim.

Statusi i Ilir Metës:

Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë.

Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.

Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.

Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim.

Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.

Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.

Falenderoj dy avokatët  e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht.

I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij.