Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për sigurinë e tifozëve në Kupa e Botës 2026, në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të rriten.
Komisioneri i Sportit, Glenn Micallef, i ka kërkuar presidentit të FIFA, Gianni Infantino, më shumë transparencë dhe garanci konkrete për sigurinë gjatë turneut.
Botërori i vitit 2026 do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë, ndërsa BE thekson se situata aktuale globale kërkon masa të forta sigurie për tifozët europianë që pritet të udhëtojnë drejt Amerikës së Veriut.
Micallef bëri të ditur se kishte kërkuar sqarime nga Infantino që muajin e kaluar, por nuk ka pasur komunikim të mëtejshëm, duke shtuar se kërkesat janë përsëritur pas përshkallëzimit të fundit të tensioneve.
Ai shprehu gjithashtu rezerva për bashkëpunimin e FIFA-s me një iniciativë për Gazën të mbështetur nga Donald Trump, duke theksuar se Evropa preferon partneritete me organizata ndërkombëtare si UNESCO dhe UNICEF.
Nga ana tjetër, FIFA ka deklaruar se siguria mbetet prioritet absolut dhe ka shprehur besim te autoritetet e vendeve pritëse për garantimin e një mjedisi të sigurt.
Turneu, ku do të marrin pjesë 48 ekipe, pritet të nisë më 11 qershor në Mexico City, ndërsa sfidat e sigurisë mbeten një nga çështjet kryesore në prag të kompeticionit









