Tenderi 700 mijë euro i KESH – GJKKO dërgon Benet Becin dhe 6 zyrtarë në gjyq për shkelje të barazisë në tendera

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj kryebashkiakut të Shkodër, Benet Beci, si dhe 6 zyrtarëve të tjerë.

Çështja lidhet me një tender prej 700 mijë eurosh të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) në vitin 2019, për “zhvillimin strategjik të sektorit energjetik”. Të pandehurit akuzohen për “shkelje të barazisë në tendera”, të kryer në bashkëpunim.

Sipas hetimeve të SPAK, gjatë procedurës janë kryer shkelje në përllogaritjen e fondit limit, hartimin e kritereve dhe vlerësimin e ofertave, duke favorizuar në mënyrë të padrejtë kompaninë fituese. Në këtë skemë dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe Benet Beci, në kohën kur drejtonte KESH.

Në listën e të pandehurve përfshihen edhe Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni. Adela Ruko rezulton bashkëshortja e Evis Berberi, i cili ndodhet në burg për një tjetër çështje.

Sipas prokurorisë, prova kyçe ka qenë analiza e telefonit të Evis Berberi, nga ku janë zbuluar elementë që implikojnë disa prej të pandehurve në shkeljet e procedurave të prokurimit publik.

Gjykata ka vendosur dërgimin e çështjes për gjykim dhe, sipas ligjit, ky vendim nuk është i ankimueshëm.