Kombëtarja shqiptare merr një goditje të rëndë para sfidës me Poloninë, pasi sulmuesi kryesor Rei Manaj nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjen e 26 marsit, e vlefshme për “Play-Off”-in e Botërorit.
Ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar një dëmtim muskulor të gradës së tretë në kofshën e majtë, që e lë 29-vjeçarin jashtë fushave për rreth dy muaj. Lajmi u bë publik nga klubi i tij, Sivasspor.
Trajneri Sylvinho tashmë duhet të rishikojë planet për ndeshjen në Varshavë, duke pasur mungesa dhe pasiguri edhe në alternativat e tjera sulmuese.
Mirlind Daku ende nuk është rikuperuar plotësisht, ndërsa Armando Broja nuk është në formën optimale dhe aktivizohet më shpesh në krah.
Në këto kushte, trajneri mund të konsiderojë rikthimin e emrave si Indrit Tuci, Kristjan Shpendi apo Taulant Seferi, ndërsa edhe Myrto Uzuni mbetet një opsion për rolin e sulmuesit kryesor.
Lista zyrtare e grumbullimit pritet të publikohet në fundjavë.









