Vendet aziatike po ndërmarrin masa të forta për të kursyer karburantin, mes frikës për mungesa energjie pas përshkallëzimit të konfliktit mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraelit dhe Iranit.
Rajoni, që është importuesi më i madh i naftës në botë, mbetet shumë i varur nga furnizimet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë globale. Rreth 90% e naftës dhe gazit që kalon në këtë rrugë ka si destinacion vendet aziatike, duke i bërë ato veçanërisht të ndjeshme ndaj çdo ndërprerjeje.
Për të përballuar situatën, disa shtete kanë nisur masa konkrete kufizuese. Në Sri Lanka, e mërkura është shpallur ditë pushimi zyrtar për të ulur përdorimin e karburantit, ndërsa është vendosur edhe një sistem lejesh që kufizon sasinë e karburantit për qytetarët.
Në Myanmar, qarkullimi i automjeteve private është kufizuar në ditë të alternuara sipas targave, ndërsa Bangladeshi ka avancuar pushimet universitare dhe ka vendosur ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike.
Ndërkohë, në Filipine, institucionet publike kanë nisur të aplikojnë punën nga shtëpia për të paktën një ditë në javë, si pjesë e përpjekjeve për të reduktuar konsumin e energjisë.
Masat reflektojnë presionin në rritje mbi tregjet globale të energjisë dhe frikën për përkeqësim të situatës nëse tensionet vazhdojnë.









