Më shumë se 150 persona në bord të anijes turistike “Star Princess”, e cila po udhëtonte në Karaibe, u infektuan me norovirus, njoftuan Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Nga 153 të prekurit, 104 ishin pasagjerë dhe 49 anëtarë të ekuipazhit. Shpërthimi u shfaq gjatë një udhëtimi njëjavor që përfundoi të dielën e kaluar, me simptoma kryesore diarre dhe të vjella.
Princess Cruises raportoi se u ndërmorën masa të menjëhershme: u kryen pastrime dhe dezinfektime shtesë, personat e infektuar u izoluan, dhe stafi bashkëpunoi me CDC-në për të zbatuar praktikat më të mira për kontrollin e virusit. Shpërthimi u raportua të mërkurën në Programin e Sanitarizimit të Anijeve të CDC-së, dhe inspektorët u nisën në anije për hetime.
Norovirusi është shkaku kryesor i shpërthimeve të diarresë dhe të vjellave në SHBA. Ai përhapet lehtësisht përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me të tjerët, konsumimit të ushqimeve ose lëngjeve të kontaminuara dhe prekjes së sipërfaqeve të infektuara. CDC-ja thekson se larja e duarve dhe dezinfektimi i sipërfaqeve janë mënyrat më efektive për parandalimin e përhapjes së virusit.









