Rama për refuzimin e SPAK ndaj Ballukut: Prokurorët nuk bëjnë dot ç’të duan kur trokasin në Kuvend

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi vendimin e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e zv.kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Gjatë podcastit të tij Flasim, Rama tha se Kuvendi i dha fund një debati të gjatë dhe se vendimi u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të materialeve të paraqitura.

Sipas tij, kërkesa për heqjen e lirisë së një deputeti nuk mund të miratohet pa baza të forta dhe nuk duhet të kthehet në një praktikë të zakonshme në emër të luftës kundër korrupsionit.

“Deputeti është i barabartë para ligjit dhe duhet të hetohet nëse ka arsye për hetim, por liria e tij nuk mund të kufizohet me teori të përgjithshme. Prokurorët dhe gjyqtarët nuk mund të bëjnë çfarë të duan kur trokasin në derën e Kuvendit”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se Kuvendi ka detyrimin të shqyrtojë me përgjegjësi çdo kërkesë të tillë dhe nuk mund të veprojë mekanikisht pa vlerësuar rrethanat dhe provat e paraqitura nga organet e drejtësisë.