Trump kritikon Zelenskyn: Nuk do marrëveshje! Sanksionet ndaj naftës ruse do rikthehen pas krizës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se pezullimi i përkohshëm i disa sanksioneve ndaj naftës së Rusisë lidhet me nevojën për të stabilizuar furnizimin global me energji.

Në një intervistë për NBC News, Trump tha se vendimi është marrë për të siguruar që tregjet ndërkombëtare të kenë mjaftueshëm naftë në një moment kur çmimet janë rritur ndjeshëm.

“Dua që të ketë naftë për botën. Dua që të ketë naftë”, u shpreh ai.

Sanksionet ndaj Rusisë u vendosën në vitin 2022 pas pushtimit të Ukrainës nga Moska. Trump theksoi se këto masa do të rivendosen sapo të përfundojë kriza aktuale.

Duke komentuar reagimet ndërkombëtare ndaj këtij vendimi, presidenti amerikan kritikoi edhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Jam i surprizuar që Zelensky nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje. Thuajini Zelenskyt të gjejë një marrëveshje, sepse Vladimir Putin është i gatshëm ta bëjë një të tillë”, deklaroi Trump.