Ferrari synon të ngushtojë diferencën me Mercedesin falë një risie të re teknike të quajtur krahu “Macarena”. Kjo zgjidhje e zhvilluar nga inxhinierët e Maranelos u pa fillimisht gjatë testeve në Bahrein dhe tashmë ka mbërritur në Kinë, ku pritet të debutojë gjatë fundjavës së garës në Shangai.
Bëhet fjalë për një përditësim që ka ardhur më herët nga sa ishte planifikuar. Edhe piloti britanik Luis Hamilton e ka vlerësuar punën e ekipit: ai theksoi se kjo risi nuk ishte parashikuar të sillhej kaq shpejt në pistë, por falë përpjekjeve të skuadrës u testua për një ditë dhe rezultatet e para duken pozitive.
Fillimisht, Ferrari kishte planifikuar ta përdorte këtë element në Çmimin e Madh të Bahrejnit. Megjithatë, situata e tensionuar ndërkombëtare mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit ka vënë në dyshim zhvillimin normal të atij eventi.
Krahu “Macarena” konsiderohet një armë shtesë për Hamiltonin dhe Sharl Lëklerkun. Ai është një krah i pasëm me flap të rrotullueshëm që mund të arrijë deri në 270 gradë, ndryshe nga sistemi tradicional që lëviz vetëm 90 gradë. Kjo pritet të sjellë një rritje të shpejtësisë prej rreth 5 deri në 8 km/h, si edhe një menaxhim më efikas të energjisë së baterisë.
Pasi u transportua nga Maranelo, mekanikët e Ferrarit e kanë montuar tashmë këtë element në dy makinat SF-26. Risia pritet të testohet fillimisht gjatë provave të lira, ndërsa më pas skuadra do të vendosë nëse do ta përdorë gjatë gjithë fundjavës së garës.









