“Asnjë Kalë Troje në BE!” – Marta Kos paralajmëron: Vetëm demokraci të forta dhe të pathyeshme pranohen në Union

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, theksoi se vendet që synojnë anëtarësimin në BE duhet të jenë demokraci të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimeve të jashtme, veçanërisht atyre nga Rusia.

Gjatë një seance plenare në Parlamentin Evropian në Strasburg, Kos nënvizoi se procesi i integrimit nuk ka rrugë të shkurtra dhe kërkon reforma të thella nga vendet kandidate. Ajo theksoi gjithashtu se Bashkimi Evropian duhet të përmbushë angazhimet e tij ndaj këtyre vendeve për të mbështetur besueshmërinë e procesit.

“Vendet që i bashkohen BE-së duhet të jenë demokraci të forta dhe të qëndrueshme, të afta t’i rezistojnë ndikimit toksik të Rusisë dhe të të tjerëve. Nuk mund të ketë rrugë të shkurtra në reforma”, tha Kos.

Ajo paralajmëroi se asnjë vend që mund të minojë funksionimin e unionit nga brenda nuk mund të pranohet si anëtar. “Asnjë Kalë Troje. Duhet të sigurohemi plotësisht për këtë”, shtoi Komisionerja.

Mesazhi i saj synon të vendosë standarde të qarta për vendet që kërkojnë të hyjnë në BE, duke lidhur demokracinë e fortë me sigurinë dhe stabilitetin e unionit.