Udhëheqësi i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, ka dhënë mesazhin e tij të parë publik që prej marrjes së detyrës, por mënyra e komunikimit ka ndezur spekulime të shumta. Në vend të një fjalimi live apo videoje, ai dërgoi një mesazh të gjatë me shkrim, i lexuar nga prezantuesi i televizionit shtetëror iranian.
Raportimet e huaja, përfshirë The Sun, kanë ngritur spekulime dramatike, duke thënë se djali i Khameneit mund të ketë humbur njërën këmbë, të ketë pësuar dëmtime të brendshme dhe të jetë në koma, gjë që ka ushqyer dyshime mbi gjendjen e tij dhe praninë e tij reale.
Megjithatë, CNN dhe analizat e tjera sugjerojnë se Mojtaba Khamenei është gjallë dhe në kontroll të vendimeve, duke synuar të vazhdojë politikën agresive të paraardhësit të tij. Mesazhi i tij përmbante retorikë të ashpër, duke paralajmëruar hakmarrje për viktimat iraniane dhe duke kërcënuar bazat amerikane në rajon, si dhe duke theksuar se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur për trafikun global.
Spekulimet mbi gjendjen e tij fizike vazhdojnë, ndërsa pyetjet kryesore mbeten: ku ndodhet realisht Khamenei, kush po merr vendimet në Teheran dhe sa i fuqishëm është ai në fakt pas këtyre sulmeve dhe trazirave të fundit.
Në këtë situatë, mungesa e një paraqitjeje publike dhe retorika e fortë kanë ngjallur panik dhe pasiguri në qarqet diplomatike dhe mediat ndërkombëtare.









