Seanca e Kuvendit për çështjen Balluku – reagon Komisioni Evropian: Vendimi i takon Parlamentit

Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur në seancë plenare për të votuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes socialiste Belinda Balluku, jashtë godinës së Parlamentit është paralajmëruar protestë nga opozita.

Në prag të këtij votimi ka ardhur edhe një reagim nga Komisioni Evropian, i cili ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm lidhur me këtë çështje.

Në një përgjigje për mediat shqiptare, Komisioni Evropian theksoi se nuk komenton raste që janë ende në proces, duke nënvizuar se vendimmarrja për heqjen e imunitetit të deputetëve është kompetencë e Parlamentit të Shqipërisë.

“Ne nuk komentojmë për çështje që janë ende në proces. I takon Parlamentit të Shqipërisë të trajtojë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.

Çështja e Ballukut pritet të dominojë seancën e sotme parlamentare, ku mazhoranca dhe opozita kanë paraqitur raporte të ndryshme për kërkesën e SPAK, ndërsa votimi i tyre do të përcaktojë nëse do të autorizohet apo jo arrestimi i deputetes socialiste.

Paralelisht me zhvillimet brenda sallës së Kuvendit, opozita ka thirrur mbështetësit e saj në protestë para Parlamentit, duke e konsideruar votimin për imunitetin e Ballukut një moment të rëndësishëm në përballjen politike me qeverinë.