Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar fuqishëm përmes një postimi publik lidhur me rolin e diplomatëve ndërkombëtarë në raport me institucionet e drejtësisë në Kosovë.
Rrustemi ka bërë thirrje të qartë disa ambasadorëve që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se ndërhyrje të tilla mund të sjellin pasoja serioze dhe afatgjata për vendin. “I lus disa ambasadorë që të mos e shkatërrojnë Gjykatën Kushtetuese me vizita, takime e ndërhyrje, sepse dëmet për vendin tonë do të jenë të pariparueshme”, ka shkruar ai.
Ky reagim vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur një masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Masë kjo që ndalon përkohësisht çdo veprim lidhur me dekretin deri në fund të marsit, me qëllim parandalimin e “dëmeve të pariparueshme për rendin kushtetuese dhe funksionimin demokratik të institucioneve”.
Si pasojë e vendimit, presidentja Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja, ndërsa Kuvendi i Kosovës nuk mund të vazhdojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.
Analistët politikë vënë në dukje se vendimi i Kushtetueses dhe reagimi i Rrustemit rrisin tensionet mes institucioneve dhe mund të ndikojnë në stabilitetin politik të vendit, duke sjellë një sfidë të re për dialogun ndërmjet qeverisë dhe komunitetit ndërkombëtar.










